Adem Demaçi – Hero i Kombit

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

E them me plot bindje se jemi me fat që ne, si popull, kemi pasur një figurë e personalitet si Adem Demaçi, i cili në asnjë rrethanë, në asnjë moment, nuk bëri kompromis asnjëherë dhe me askënd, kur ishte fjala për popullin dhe atdheun!

Një figurë titanike, e cila do të mbetet e skalitur fort në memorien e kombit dhe të brezave që do të vijnë pas!

Në këtë libër të radhës të autorit të nderuar Selatin Novosella, të titulluar “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”, del edhe një herë në pah vlerësimi i lartë i profesor Qoses për Demaçin, si një veprimtar i shquar, simbol i rezistencës sonë kombëtare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Po ashtu, jemi me fat që autori i nderuar, z. Novosella, që e kemi këtu në mesin tonë, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Demaçit, bashkëvuajtës në burgjet e regjimit serb, një njeri që gjithë jetën e tij ia kushtoi çështjes shqiptare, një njeri që e përjetësoi me punën e tij intelektuale çdo hap, sakrificë e frymëmarrje të Demaçit për këtë popull e për këtë vend.

Ky angazhim i pashoq dhe puna kolosale e autorit për të nxjerrë në pah figurën e Demaçit, karakterin, vendosmërinë dhe guximin e tij, e bën atë të pavdekshëm dhe e sjell të gjallë për brezat që do të vijnë, duke iu dhënë një shembull se si luftohet, si punohet e si duhet populli dhe vendi yt.

Ashtu siç i quan autori: “Binomi – Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja”, gjatë veprimtarisë dhe angazhimit të tyre ndër vite, për rreth pesë dekada, kanë ndërvepruar dhe ruajtur një respekt të ndërsjellë, duke u bërë shembull për të gjithë ata intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, që nuk kursyen asgjë për vendin dhe lirinë e tij.

Qosja e sheh figurën e Demaçit si një figurë frymëzuese, një personalitet me parime shumë të forta, i cili ka lënë një ndikim të pashlyeshëm në shoqërinë dhe historinë tonë kombëtare.

Ai e ka vlerësuar Demaçin si një autoritet të pakrahasuar dhe një zë të guximshëm e të ndershëm në historinë e Kosovës.

Autori, në librin e tij, është përpjekur t’i sjellë lexuesit pothuajse çdo sekuencë, çdo vlerësim, çdo ndërveprim të dy titanëve për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Qosja, me mendimet dhe respektin e tij për figurën e Demaçit, është përpjekur që në veçanti të theksojë kontributin e tij për liri e pavarësi dhe promovimin e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Ai, po ashtu, ka vënë në dukje guximin e Demaçit për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe sakrificat e tij të shumta në emër të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Demaçi, si një figurë shumëdimensionale, vjen edhe në këtë botim i dokumentuar dhe i plotësuar si një personalitet që me përpjekjet e tij ka promovuar bashkimin kombëtar.

Si Rexhep Qosja, ashtu edhe autori ynë i nderuar, Selatin Novosella, në dokumentimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së figurës së Adem Demaçit, i kanë dhënë një dimension tjetër, duke e bërë atë të njohur për brezat e ardhshëm si një hero kombëtar dhe një figurë frymëzuese për historinë tonë.

Do të doja të përmendja një sekuencë të shkëputur nga libri, ku Rexhep Qosja, në fjalën e tij për nder të 60-vjetorit të lindjes së bacës Adem, më 26 shkurt 1996, “Adem Demaçi – Apostull i Lirisë”, shprehet:

“Inteligjenca shqiptare nuk do të bënte mirë të harronte se Adem Demaçi ka bërë burgje, kur shumë prej nesh kanë bërë karrierë politike a profesionale; ka folur me të madhe kur shumica prej nesh kemi heshtur; e ka thënë të vërtetën, kur shumëkush prej nesh nuk ka përtuar të shkruajë dhe të shqiptojë gënjeshtra; ka qëndruar drejt kur shumëkush prej nesh është gjunjëzuar me qejf; ka mbrojtur të drejtën tonë për vetëvendosje, kur ne vetëvendosjen e kemi shpallur të sendërtuar ose kërkesë armiqësore; ka folur për pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera me shumicë shqiptare, kur ne të tjerët jemi betuar në autonominë, si zgjidhje e çështjes së Kosovës për të gjitha kohët!”

Në fjalën e tij, Qosja thekson:

“Ai jetoi pa brejtje të ndërgjegjes. Pse jo? Ai ka jetuar me shumë vuajtje, por ai ka jetuar në pajtim me ndërgjegjen e vet, në të vërtetë në pajtim me vullnetin historik të popullit të vet.

Burgjet shumëvjeçare nuk e kanë nxitur dëshirën për hakmarrje te ai; as ndaj atyre që e kanë futur në burg, as ndaj atyre që janë pajtuar me burgosjen e tij; as, më në fund, ndaj atyre që në heshtje mortore i kanë kaluar ata 27 vjet e 8 muaj të burgjeve të tij!

Adem Demaçi, sot, as nuk mendon e as nuk sillet si viktimë politike.

Dhe ai nuk mendon dhe nuk sillet ashtu – si viktimë politike, sepse është një Hero Shpirtëror!”

Ky botim i radhës i autorit, në një përmbledhje të kujdesshme të vlerësimit të Qosjes për bacën Adem, nxjerr edhe një herë në dritë, në një plan e rrafsh tjetër intelektual, madhështinë e figurës së Demaçit, si një personalitet që vjen në kohën dhe momentin e duhur për të qenë në shërbim dhe vetëmohim për të mirën e popullit dhe atdheut!

Ky ishte Adem Demaçi, njeriu që me madhështinë, guximin, kurajon, trimërinë, ndershmërinë, dashurinë e pakompromis për atdheun dhe kombin e tij, me përgatitjen e tij intelektuale, na trasoi rrugën për të rezistuar e luftuar për ATDHEUN.

Ashtu siç e ka përshkruar edhe profesor Qosja:

“Para vetes e para botës sot mund të mburremi, para së gjithash, me qëndresën madhështore morale të Adem Demaçit.

E kjo është vepër që e lëviz ndërgjegjen tonë dhe, duke lëvizur ndërgjegjen, e lëviz historinë tonë!”

Nuk mund të kuptohet rezistenca jonë për liri e pavarësi, lufta jonë për të jetuar të lirë e të pavarur, pse jo edhe të bashkuar me nënën Shqipëri, pa emrin, frymëzimin dhe idetë e të madhit Adem Demaçi.

Nuk mund ta perceptojmë këtë liri e pavarësi pa emrin e tij, pa sakrificat e panumërta të popullit tonë, pa gjakun e të rënëve dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Dua ta përmbyll fjalën time me një thënie të ish-Kryepeshkopit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Nik Prela, i cili e cilëson Adem Demaçin – Krishti i Shqiptarëve:

“A e keni parë Krishtin ndonjëherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi, është Krishti vetë!

Çka ka bërë Krishti më tepër se ky? 28 vjet burg i mbajti ky burrë. Të numërosh deri në 28 është shumë, e jo më 28 vite t’i mbash në burg!”

Duke ju falënderuar të gjithëve, një falënderim të veçantë e kam për autorin, z. Selatin Novosella, i cili ka bërë një punë kolosale për të përjetësuar figurën dhe veprën e të ndriturit Adem Demaçi, dhe duke mbushur njëherësh boshllëkun e Akademisë së Shkencave, e cila, fatkeqësisht, deri më sot ka dështuar të përmbushë detyrimin e saj profesional dhe moral ndaj bacës Adem.

Go to TOP