A po ndodh vërtet persekutimi i serbëve ortodoksë në Kosovë?

Shkruan: Gurakuç KUÇI

Rreth 170 objekte ortodokse në Kosovë mbrohen vazhdimisht nga Policia e Kosovës nëpërmjet patrullimeve të rregullta, mbikëqyrjes së varrezave dhe objekteve, shtimit të patrullave në rast të ndonjë rreziku potencial dhe reagimit ndaj informacioneve për kërcënime.

Njëzet e katër kisha dhe manastire ortodokse ruhen me prani fizike policore 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Janë mbi 40 objekte të Kishës Ortodokse dhe hapësirat përreth tyre që janë të përfshira në Zona të Veçanta të Mbrojtura.

Brenda këtyre zonave kufizohen ose kontrollohen ndërtimet, industria, rrugët dhe aktivitetet që mund të cenojnë funksionimin, qetësinë apo karakterin historik të objekteve. Zbatimi mbikëqyret edhe përmes Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, ku përfaqësohen institucionet e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe dhe partnerët ndërkombëtarë.

Përjashtim në gjithë këtë bën Manastiri i Deçanit, ku KFOR-i është reaguesi i parë.

Që nga marsi i vitit 2013 funksionon edhe Njësia për Sigurimin e Objekteve dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF), ekskluzivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, me theks të veçantë në atë ortodokse.

Çdo dëmtim i kishave, shkrim kërcënues, përdhosje e varrezave, vjedhje apo sulm i ndryshëm trajtohet si vepër penale dhe, kur ka motiv etnik apo fetar, edhe si krim i urrejtjes. Në çdo stacion policor ka koordinatorë dhe hetues të caktuar për evidentimin dhe procedimin e këtyre rasteve, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Gjatë festave dhe pelegrinazheve të ndryshme ortodokse, Policia e Kosovës harton plane të veçanta operative, të cilat përfshijnë ruajtjen e objekteve, mbrojtjen e pjesëmarrësve, menaxhimin e trafikut, kontrollin kufitar, parandalimin e incidenteve dhe angazhimin e njësive hetimore.

Këto masa përbëjnë një model sui generis, pra të veçantë, që askush tjetër në Evropë nuk e ka dhe nuk e ofron në këtë formë.

Por propaganda serbe vazhdon të justifikojë veprime përmes të cilave synon ta përgatisë situatën për eskalim të krizave.

Më 26 korrik 2026, gjatë “Liturgjisë Hyjnore” që u mbajt në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë pranë Prizrenit, Policia e Kosovës u kujdes përsëri që e gjithë situata të kalonte pa asnjë incident dhe që askush, nga asnjëra palë, të mos e keqpërdorte këtë liturgji për qëllime të tjera.

Por propaganda serbe u kujdes që këto veprime të sigurisë së Policisë t’i paraqiste si presion dhe dhunë ndaj të krishterëve ortodoksë. Këtë e bëri duke shfrytëzuar rrjetet sociale, mediat dhe video të kamufluara.

Kjo qasje është një operacion informativ dhe psikologjik, ku metoda e përdorur është transformimi i realitetit. Pra, merren pamje reale, hiqen nga konteksti i tyre dhe u ndryshohet kuptimi. Më pas, kontrolli i sigurisë paraqitet si presion, prania policore si rrethim, ndërsa çdo masë mbrojtëse si persekutim.

Ky është një lloj inversioni semantik, ku realiteti paraqitet në formë të kundërt, me qëllim delegjitimimin e Kosovës dhe të forcave ligjore e demokratike që ofrojnë mbrojtje për trashëgiminë kulturore dhe fetare.

Qëllimi është që të ndikohet edhe publiku ndërkombëtar, dhe jo vetëm ai vendor, deri në atë masë sa të nxitet urrejtje kundër Kosovës.

Një mësim nga kjo propagandë e Serbisë është se siguria operative duhet të ndiqet nga komunikimi strategjik, në mënyrë që të mos lihet hapësirë për manipulim. Kjo sepse, në luftën hibride, boshllëku informativ nuk mbetet bosh, por plotësohet nga kundërshtari, i cili zakonisht e ka të përgatitur paraprakisht skenarin e veprimit.

#kosova #orthodoxchurch #KFOR #kosovopolice #serbia #propaganda #HybridWarfare


Go to TOP