Abdixhiku takon ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë, merr urime nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për Kuvendin e LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit ka zhvilluar takime të ndara me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph dhe Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini.
Po ashtu, Abdixhiku ka pranuar urime për Kuvendin demokratik të LDK-së edhe nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Anu Prattipati, si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kosovës, në të gjitha fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik. Sipas tij, këta partnerë mbeten aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të demokracisë së saj.
Gjatë këtyre takimeve, Abdixhiku ka bërë të ditur se janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, qëndrimi i LDK-së ndaj situatës së krijuar, si dhe domosdoshmëria e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin qytetar dhe parimet demokratike.
Në të dyja rastet, kreu i LDK-së ka theksuar nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore. /Kosova.info/
