Abdixhiku takon ambasadoren kroate Barišić: Nevojë urgjente për institucione funksionale dhe mbështetje për komunitetet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, znj. Daniela Barišić, me të cilën diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend.

Në qendër të bisedës ishte situata e krijuar si pasojë e ngërçit institucional në Kosovë, për të cilin Abdixhiku theksoi se vjen si rezultat i mungesës së vullnetit politik nga partia e parë në vend. Ai ritheksoi nevojën urgjente për formimin e institucioneve funksionale, që do t’i shërbenin qytetarëve dhe do të rikthenin besimin në demokraci.

Temë tjetër me rëndësi në takim ishte përkrahja dhe përfaqësimi i komunitetit kroat në Kosovë. Kryetari Abdixhiku theksoi angazhimin e LDK-së në qeverisjen lokale për të siguruar trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet, shumicë dhe pakicë duke e cilësuar këtë si themel të stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në proceset ndërkombëtare dhe përpjekjet integruese duke e vlerësuar këtë si dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore ndërmjet dy shteteve.

Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, me zotimin për thellim të mëtejmë të lidhjeve dypalëshe. /Kosova.info/


Go to TOP