Abdixhiku: Prodhimet “Made in Kosovo” po depërtojnë në Evropë dhe Amerikën e Veriut
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një vizitë në kompanitë AgroProdukt dhe Bliff Organik, të cilat i cilësoi si histori suksesi të prodhimit vendor dhe eksportit nga Kosova.
Abdixhiku bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me Ilirin, panë nga afër përkushtimin dhe punën e grave dhe burrave që merren me kultivimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve aromatike dhe medicinale.
Sipas tij, produktet e këtyre kompanive tashmë kanë depërtuar në tregjet ndërkombëtare të Evropës dhe Amerikës së Veriut duke dëshmuar potencialin që ka Kosova në zhvillimin e prodhimit vendor dhe eksporteve.
“Këto biznese janë dëshmi e potencialit që ka Kosova kur puna, dija dhe vizioni bashkohen për të krijuar produkte cilësore me vulën ‘Made in Kosovo’”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai theksoi se mbështetja për bizneset vendore do të vazhdojë duke shtuar se institucionet duhet të jenë pranë prodhuesve në çdo hap të zhvillimit të tyre. /Kosova.info/
