Abdixhiku: Zgjidhje dhamë, tash LDK-ja do të merret me Zgjedhjet Lokale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur nisjen zyrtare të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale të vjeshtës 2025 duke theksuar se partia nuk ka më kohë për të humbur në pritje të palëve të tjera.
Në një postim publik, Abdixhiku tha se LDK do të përqendrohet në proceset e saj përpara, jashtë bllokadave politike dhe mbledhjeve pa qëllim. “Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët,” theksoi ai.
Për këtë arsye, sot ai ka mbledhur kryetarët e të gjitha degëve të partisë për të filluar konsultimet e brendshme dhe përgatitjet për nominimin e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë lokalë.
“Po hyjmë në këtë proces me vullnet, bindje dhe përgatitje – plot 6 muaj kohë. Ftojmë të gjithë ata që ndajnë vlerat, vizionin dhe dëshirën për të shërbyer qytetarëve të bëhen pjesë e këtij procesi,” deklaroi Abdixhiku.
LDK aktualisht udhëheq në 9 komuna dhe ka 206 këshilltarë lokalë. Sipas Abdixhikut, LDK do të vazhdojë të jetë një hapësirë e hapur për qytetarët dhe mbështetësit e saj: “LDK mbetet e juaja. LDK mbetet dashni!”. /Kosova.info/
