Abdixhiku dhe Rama vizitojnë Rrugën “A” dhe Unazën e Brendshme: Projekte që i japin formë të ardhmes së Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, kanë vizituar sot nga afër punimet në dy nga projektet më të mëdha infrastrukturore që po zhvillohen në kryeqytet – Rruga “A” dhe Unaza e Brendshme.

Në një deklaratë publike, Abdixhiku theksoi se këto dy projekte nuk janë thjesht ndërhyrje komunale, por transformime urbane që po e ridefinojnë Prishtinën drejt një qyteti modern dhe funksional. Ai vlerësoi ritmin e shpejtë të punimeve dhe e quajti këtë moment si një hap gjigant në realizimin e një vizioni të guximshëm për qytetin.

“Rruga “A”, një kërkesë e kahershme, me gjashtë korsi të reja, lidh Veternikun me Bregun e Diellit dhe Matin duke mundësuar qarkullim më të shpejtë dhe shkarkim të dukshëm të trafikut urban,” tha Abdixhiku. Ai shtoi se përveç aspektit infrastrukturor, kjo rrugë do të jetë bazë për zhvillimin e një lagjeje të re me dhjetëra mijëra banorë – ngjashëm me modelin e Rrugës B.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e Unazës së Brendshme, e cila krijon një korridor të ri të qarkullimit nga Kodra e Trimave përmes Arbërisë deri në dalje për Fushë Kosovë dhe Mitrovicë – një zgjidhje që lehtëson ndjeshëm qasjen dhe lëvizjen në pjesët kryesore të qytetit.

Abdixhiku vlerësoi punën e Kryetarit Rama duke e quajtur atë një vizionar që po realizon projekte të guximshme dhe të nevojshme për kryeqytetin. “Prishtina nuk ka nevojë për zgjidhje të vogla. por për njerëz që mendojnë dhe veprojnë në përmasa të mëdha,” theksoi ai.

Të dy udhëheqësit u zotuan se do të jenë çdo ditë në teren me ekipet e tyre, për t’i dhënë Prishtinës projekte që lënë gjurmë në kohë.

“Sepse, Prishtina duhet me u dashtë,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP