Abdixhiku: Bashkëshortja ime do të padisë shpifësit për pretendimet e pavërteta
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj, siç i quajti ai, shpifjeve dhe pretendimeve të pavërteta të shpërndara nga “grupe parapolitike”, të cilat sipas tij janë aktivizuar në ditë zhvillimesh me interes kombëtar.
Abdixhiku deklaroi se në këtë valë sulmesh është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Albina Abdixhiku, përmes pretendimeve që ai i cilëson si të pavërteta lidhur me “përfitime politike” dhe “tregti me energji elektrike”.
“Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për ‘përfitime politike’ e ‘tregti me energji elektrike’. Sa lehtë shpifet këndej!”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, bashkëshortja e tij, si një zonjë e pavarur dhe profesionale, e ka njoftuar se do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. Ai theksoi se e mbështet plotësisht në këtë vendim, si në aspektin moral ashtu edhe njerëzor.
“E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare,” u shpreh ai.
Abdixhiku shtoi se në përvojën e tij politike ka kuptuar se përballja e drejtpërdrejtë me, siç i quajti ai, “botën e errët të mllefit dhe urrejtjes” është e pashmangshme, por e domosdoshme.
Ai theksoi gjithashtu se është i bindur se çdo mjet eventual i fituar nga kjo betejë gjyqësore do të dedikohet për një kauzë fisnike në Kosovë duke e përshkruar bashkëshorten e tij si humaniste dhe të përkushtuar ndaj çështjeve shoqërore. /Kosova.info/
