AAK hap fushatën për zgjedhjet lokale 2025: Haradinaj thotë se Kosova po kalon ditë të errëta, kandidatët premtojnë qeverisje të mirë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale 2025. Në ceremoninë e mbajtur, kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova po kalon ditë të errëta dhe se vendi nuk ka qenë kurrë më parë në një situatë kaq të ndjeshme. Ai iu drejtua kandidatëve për kryetarë komunash duke u thënë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një qeverisje të mirë dhe të drejtë.
“Kandidatët tanë i japin dritë, jetë e shpresë qytetarëve përmes qeverisjes së mirë,” tha Haradinaj.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, përmendi arritjet e disa prej kryetarëve aktualë nga kjo parti duke theksuar se Bashkim Ramosaj ka bërë “një revolucion” në Deçan, Smajl Latifi e ka shndërruar Rahovecin në një destinacion të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin, ndërsa Klina ka nderin që ka pasur në krye Zenun Elezajn. Ai shtoi se kandidatët e rinj po hyjnë në “klasën më të mirë politike në Kosovë – më të ndershmen, më të pastërtën dhe më punëtoren”.
Bekë Berisha, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, tha se synimi i tij është ta kthejë kryeqytetin në një metropol modern, por fillimisht duhet të adresohen punët bazike të mbetura nga e kaluara. “Prishtina është simbol i historisë dhe i ardhmes sonë, një qytet i mbushur me trashëgimi kulturore e historike,” u shpreh Berisha duke theksuar se AAK ka dëshmuar kudo që ka qeverisur se mbështet zhvillimin.
Ndërkaq, kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës, Vildane Latifi, theksoi se është rritur politikisht brenda AAK-së dhe ka mësuar se udhëheqja është përgjegjësi që duhet respektuar. “Edhe gratë dijnë dhe mund të udhëheqin më mirë se burrat,” deklaroi ajo duke shprehur bindjen se do të ofrojë një udhëheqje të përgjegjshme për qytetarët.
AAK ka theksuar se kandidatët e saj do të sjellin vizione të reja për komunat e Kosovës, të ndërtuara në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët. /Kosova.info/
