A do të zbresin UFFO-t më 9 Shkurt në Kosovë?!

Shkruan: Florim ZEQA

Nga çlirimi i vendit e deri më sot KQZ-ja nuk ka pasur më shumë kohë (mbi 6 muaj) që të bëjë pastrimin e listave zgjedhore. Kur kësaj t’i shtohet regjistrimi i popullsisë, kjo nuk e arsyeton me asgjë mospunën e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor! 

Frika nga vota e Diasporës 

Duket të jetë pak më tepër se paradoksale që Kosova me 1 milion e 600 mijë banorë t’i ketë 2 milion votues në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025! Kjo mrekulli ndodhë vetëm në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë!

Sigurisht që KQZ-ja me konstatimin e pabazuar në shifra e ka mbështetur në votën e mërgatës sonë. Por as kështu nuk përputhen shifrat, për shkak se kur mendohet për mërgatën, ajo është numerikisht shumë më e madhe se që aludon KQZ-ja!

Këtë që e them e bazoj në faktin se në cilin do shtet evropian janë më tepër se 400 mijë votues potencial nga Kosova!

Politikanët që e kanë gojën plotë ‘Diasporë’ i frikësohen votës së lirë të mërgatës sonë!

Sikur të ishte ndryshe, datën e zgjedhjeve do ta kishin caktuar në kohën e pushimeve dimërore, më saktësisht ditën e diele më datën 29 Dhjetor të vitit tashmë të kaluar 2024, ku shumica e mërgimtarëve do të kishin ardhur enkas për të votuar në Kosovë.

Nuk ndodhi kështu për faktin se të gjitha partitë pa dallim pushtet dhe opozitë i frikësohen votës së lirë të mërgimtarëve.

Ngase partitë politike, votën e mërgimtarëve nuk mund ta blejnë dhe as përfitojnë qysh ia bëjnë me qytetarët rezident, të cilët janë në varësi të plotë nga bosët e partive politike, qoftë me vende të punës, pensione, asistencë sociale e gjithçka tjetër që lidhet me çështje ekzistenciale.

Në rastin e tanishëm janë vetëm 100 mijë mërgimtarë që kanë të drejtë të votojnë nëpër Ambasada (Konsullata) dhe përmes postës. Votë kjo e papërfillshme për të ndikuar në përqindjet e partive në garën zgjedhore, e fare pak apo më mirë të themi aspak në arritjen e ndryshimeve të kërkuara në vendin tonë!

Zoti e di çfarë mrekullie do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve në Kosovë!

Përpos të vdekurve, nuk e di, kush tjetër do të votojë në Kosovë!

Mbase UFFO-t do të zbresin më 9 Shkurt në tokën e Kosovës!


Go to TOP