Zhvillimet në veri do ta befasonin çdo qeveri në aspektin e reagimit dhe veprimeve zyrtare

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, tash e pesë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura, përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi nuk po mbahet.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Analisti politik, Shqiprim Pula, në një prononcim për Syri.net Kosova ka thënë se ndodhitë e ditëve të fundit janë kulmim i ngjarjeve të 31 korrikut, 2022, e që ishin rezistencë për moszbatueshmërinë e dy vendimeve të qeverisë që kishin të bënin me dokumentet e identifikimit dhe tabelat e veturave.

“E gjitha çfarë shihet në terren këtyre ditëve janë vazhdimësi e orkestruar e rezistencës nga grupe parashtetërore të mirëorganizuara për të mos lejuar shtrirjen e autoritetit shtetëror e institucional në veriun e vendit. Kjo, njëherit, ka shpërfaqur angazhimin fiktiv të atyre zyrtarëve lokalë të kontrolluar nga Lista Serbe, duke cenuar kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë në mënyrë flagrante në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti Shqiprim Pula për Syri.net Kosova

Sipas analistit kosovar, gjendja në veriun e vendit cilindo koalicion qeverisës do ta befasonte në kuptim të reagimit dhe veprimeve zyrtare.

“Të gjitha këto ngjarje të ditëve të fundit nga grupet parashtetërore të cilëve po u rrijnë në mbështetje politike Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar, qartazi tregon qasjen e tyre kundër, kundrejt përpjekjeve të qeverisë qëndrore për shtrirje të sovranitetit shtetëror e territorial në atë pjesë të Kosovës”, ka theksuar ai.

Ushtrimi i sovranitetit dhe kontrolli shtetëror, siç thotë më tej Pula, brenda kufijëve të territorit është me kushtetutë (neni 2) dhe me vendimin e GjND-së, i cili vendim ka konfirmuar të drejtën për vetvendosje politike si shtet dhe aktin e shpalljes së pavarësisë si legjitime në tërësinë e saj teritoriale.
Ndikimi i këtyre zhvillimeve në dialog

Analisiti Shqiprim Pula thotë se sa i përket dialogut, edhe përkundër ngjarjeve të fundit, zyrtarisht asnjëra palë dialoguese nuk ka shprehur kundërshti mbi vazhdimin e dialogut.

“Por, ajo çfarë është me rëndësi, madje jetike për ne është të jemi vigjilentë dhe me shumë maturi e kujdes të vlerësohen propozimet që vijnë nga emisari i Unionit Europian. Duhet të jemi të kujdesshëm ta ruajmë pa u cenuar preambula e kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe përmbajtja e vendimit të GjND-së, lidhur me sovranitetin dhe aspektin unitar të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar z.Pula.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Go to TOP