Ambasada ruse në Shqipëri zbulon arsyen e zhvendosjes së misionit diplomatik
Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri ka përgënjeshtruar raportimet e disa mediave shqiptare se zhvendosja e misionit diplomatik ka ardhur pas riemërtimit të rrugës “Ukraina e Lirë”.
Zhvendosja e plotë, sipas njoftimit zyrtar, ka ardhur në muajin qershor për shkak të disa vonesave në punime pas pandemisë.
“Ndërtesa e re e Ambasadës, e pajisur për zyrën e misionit diplomatik, u përgatit dhe u hap solemnisht në prani të gazetarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë në shtator të vitit 2019. Megjithatë, zhvendosja e plotë u realizua vetëm në qershor 2022, për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë”, vëren fillimisht ambasada.
Sipas tyre, sqarimi ka ardhur pas publikimit “në një sërë mediash shqiptare të informacioneve jo të besueshme për zhvendosjen e pretenduar të Ambasadës Ruse në Shqipëri në një godinë të re për arsye të riemërtimit të rrugës”.
Misioni diplomatik rus thekson se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është njoftuar gjithashtu për zhvendosjen e zyrës së Ambasadës, ndërsa adresa e re është publikuar në rrjetet sociale.
Në përmbyllje të njoftimit, ambasada kërkoi që përpara publikimit të informacioneve lidhur me punën e misionit tonë diplomatik, gazetarët të kontaktonin drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Ambasadës për një informacion të besueshëm.
