Ferizaj shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve
Me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizata “Miqtë e Familjes Biden” në Ferizaj organizoi një aktivitet falënderues për kontributin amerikan ndaj Kosovës në kampin Bonstill. Gjatë aktivitetit u prezantua edhe projekti për ndërtimin e Shkollës Shqiptaro-Amerikane të Miqësisë, ndërsa ushtarët amerikanë të KFOR-it vlerësuan miqësinë dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.
Në shënim të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizata “Miqtë e Familjes Biden” nga Ferizaj e ka shënuar këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënë për Kosovën. Në funksion të thellimit të bashkëpunimit, u bë e ditur se pritet të realizohet projekti i Shkollës së Miqësisë.
“Tashmë e kemi bërë traditë festimin e përvjetorëve të SHBA-ve. Sot është 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-ve. Sot kemi ardhur edhe ta zyrtarizojmë projektin e Shkollës Shqiptaro-Amerikane, Shkolla e Miqësisë, ku do të vendoset ky objekt, sipas projektit që edhe po shihet. Do të jenë dy klasa, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën angleze. E kemi premtimin nga KFOR-i amerikan se do të angazhohen në mësimdhënie në gjuhën angleze, ndërsa për gjuhën shqipe i kemi premtimet nga profesorët e shkollave tona të mesme”, tha Ejup Idrizi nga Organizata “Miqtë e Familjes Biden”
Ushtarët amerikanë që shërbejnë në Kosovë thanë se është privilegj për ta që, së bashku me qytetarët e këtushëm, ta festojnë Ditën e Pavarësisë së Amerikës.
“Është një nder i madh të jem këtu sot në Kosovë dhe të festoj Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Gjithashtu, është kënaqësi ta ndaj këtë mundësi me Fondacionin e Familjes Biden dhe me njerëzit këtu, duke e ndier mbështetjen e tyre. Siç e dini, ne jemi shumë larg shtëpisë sonë, prandaj është një ndjenjë shumë e bukur të jesh i rrethuar nga miq, familje dhe organizime të tilla kur je kaq larg të afërmve të tu. Të kemi mundësinë të vijmë këtu dhe ta ndiejmë këtë mbështetje është diçka vërtet e veçantë për ne. Gjithashtu, të kemi një organizim si Fondacioni Biden, i cili forcon lidhjet ndërmjet Kosovës, Amerikës dhe KFOR-it në tërësi, është një mundësi shumë e veçantë”, thaksoi Joshua Newsome.
Me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Amerikës, në Ferizaj u mbajtën edhe aktivitete të tjera.
