Maqedonci vlerëson pjesëmarrjen e FSK-së në Kroaci
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anušić, në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day – DV Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e zhvilluar në Slunj të Kroacisë.
Maqedonci ka thënë se stërvitja dëshmoi gatishmërinë dhe aftësinë e forcave pjesëmarrëse për mbrojtjen e vendeve dhe qytetarëve të tyre, duke bërë të ditur se në të morën pjesë mbi 3 mijë ushtarakë nga Kroacia dhe qindra pjesëtarë të forcave aleate e partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë, Gjeorgjinë dhe Kosovën.
Sipas tij, Kosova u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike.
“Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, ka theksuar Maqedonci.
Ai ka bërë të ditur se stërvitja, e cila zgjati 11 ditë në poligonin ushtarak të Slunjit, u zhvillua në terrene sfiduese dhe në kushte të temperaturave të larta, ku u realizuan operacione të integruara ajrore dhe tokësore me skenarë luftarakë.
Ministri ka vlerësuar gjithashtu avancimin e FSK-së në fushën e qëndrueshmërisë logjistike, duke theksuar se tashmë shërbimet e ushqimit realizohen nga kapacitete organike të FSK-së, të cilat ofrojnë mbështetje jo vetëm për pjesëtarët e saj, por edhe për forcat partnere gjatë stërvitjeve të përbashkëta.
Maqedonci ka theksuar se pjesëmarrja në “Combat Power 26” dëshmon për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe rritjen e aftësive profesionale të ushtarëve të FSK-së për angazhim në misione dhe aktivitete ndërkombëtare.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi me Kroacinë mbetet strategjik dhe i ndërtuar mbi miqësinë mes dy shteteve, duke ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm në kontributin për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /Kosova.info/
