KOK hap aplikimet për programin “Trajner Sportiv”
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), përmes Akademisë Olimpike të Kosovës, ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikime në gjeneratën e tretë të programit edukues “Trajner Sportiv”, i cili është i dedikuar për trajnerët e federatave sportive në Republikën e Kosovës.
Programi zgjat një vit dhe ofron certifikim kombëtar profesional me 60 kredi ECVET, me synimin për të përgatitur trajnerë të kualifikuar me njohuri moderne në fushat e sportit, etikës, teknologjisë dhe menaxhimit sportiv.
Përveç pjesës teorike, pjesëmarrësit do të zhvillojnë edhe aftësi praktike për punë në klube dhe organizata sportive.
Afati i fundit për aplikim është 16 gusht 2026, ndërsa programi do të nisë më 1 tetor 2026. Programi është plotësisht falas dhe financohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Aplikimet mund të dorëzohen përmes postës elektronike në [email protected] ose fizikisht në zyrat e Akademisë Olimpike të Kosovës. Për më shumë informacione dhe formularin e aplikimit, kandidatët mund t’i referohen njoftimit zyrtar të KOK-ut.
