Deschamps hyn në historinë e Kupës së Botës

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka hyrë në histori të Kupës së Botës, pasi vendosi një rekord të ri për numrin më të madh të fitoreve si trajner në këtë kompeticion.

Fitorja bindëse 3-0 ndaj Suedisë, që siguroi kualifikimin e Francës në mesin e 16 skuadrave më të mira të Botërorit, ishte triumfi i 18-të i Deschamps në Kupën e Botës, duke e bërë atë trajnerin me më shumë fitore në historinë e këtij turneu.

57-vjeçari e kishte barazuar më herët rekordin prej 17 fitoresh të gjermanit Helmut Schon, kur Franca mposhti Norvegjinë me rezultatin 4-1. Në atë takim, Deschamps mungoi në stol, pasi ishte kthyer në Francë për të marrë pjesë në funeralin e nënës së tij.

Tashmë, me suksesin ndaj Suedisë, ai është i vetëm në krye të kësaj statistike historike.

Franca do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të shtunën në Filadelfia, ku do të përballet me Paraguain në fazën e 1/8 së finales. Paraguai siguroi kualifikimin pasi eliminoi Gjermaninë, katër herë kampione të botës, duke triumfuar pas ekzekutimit të penalltive, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt në Foxborough.


Go to TOP