Abdixhiku: Ferizaji “flakë”, prezanton projektin e centralit me gaz amerikan

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vazhduar aktivitetet elektorale në Ferizaj, ku tha se qyteti po reflekton një energji të jashtëzakonshme për ndryshim dhe zhvillim.

Abdixhiku theksoi se tubimi në Ferizaj dëshmoi një bashkim të madh qytetarësh që kërkojnë një shtet më të fortë dhe një Kosovë më të fuqizuar në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, entuziazmi dhe shpresa e shprehur nga pjesëmarrësit tregojnë se vendi është gati për një drejtim të ri politik.

Gjatë fjalës së tij, ai ndaloi veçanërisht te një nga projektet që e quajti strategjik për vendin – ndërtimi i Centralit me Gaz Amerikan në Ferizaj. Abdixhiku u shpreh se ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë.

“Ferizaj do të bëhet sinonim i zhvillimit energjetik dhe industrial të Kosovës”, deklaroi ai.

Në këtë komunë, ai prezantoi edhe kandidatët për deputetë: Visar Azemi (16), Janina Ymeri (24), Burim Meta (30), Arjeta Musliu (40), Ekrem Mustafa (45), Zoja Lohaj Konjufca (101) dhe Paris Guri (110).

Në përmbyllje, Abdixhiku theksoi se Ferizaj ka potencialin dhe energjinë për të qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit në vend duke shtuar se tani i duhet vetëm drejtimi i duhur. /Kosova.info/

Go to TOP