PDK-ja shpalosi programin në Han të Elezit
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një tubim zgjedhor në Han të Elezit, ku qytetarë dhe mbështetës të partisë u mblodhën për të dëgjuar programin dhe vizionin e saj për zhvillimin e vendit. Në këtë takim u prezantuan prioritetet politike dhe ekonomike të PDK-së.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, gjatë tubimit zgjedhor në Hani i Elezit, tha se ky subjekt politik po garon me një program konkret, në qendër të të cilit është zhvillimi ekonomik si një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimit të shtetit.
“Garojmë me një program i cili në fokus ka zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Një shtet pa ekonomi të zhvilluar nuk është i qëndrueshëm. Do të përkrahim bizneset, pasi është e dëmshme që kapitali i tyre të investohet jashtë Kosovës,” theksoi Hamza.
Ai shtoi se fokus i programit qeverisës do të jetë gjithashtu shëndetësia dhe arsimi, si dhe punësimi i të rinjve.
“Në shëndetësi: sigurim i barnave të mjaftueshme për sëmundjet kronike dhe zgjerim i listës së barnave. Spitale moderne dhe investime në QKUK. Zbatimi dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore do të mundësohet. Arsim konkurrues në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut, sapo të përfundojnë studimet, do të kenë mundësi të punësimi”, shtoi ai.
Ai premtoi gjithashtu rritje të pagave deri në 50%, si dhe rritje të pensioneve, përfshirë edhe ato për veteranët dhe invalidët e luftës. Sipas tij, investime parashihen edhe në fushën e energjisë, modernizim të hekurudhave dhe ndërlidhje të rajoneve përmes autostradave.
