​“Nuk e shikojmë diasporën si votë”, Hamza nga Gjilani premton rritja të pagave 50%

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e radhës elektoral në Gjilan.

E, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, kritikoi qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se ka prodhuar drama e sulme edhe ndaj partnerëve strategjikë të vendit.

“Gjashtë vite qeverisje kanë prodhuar drama, polarizime, sulme. Sulme ndaj mediave, bizneseve e kanë shkuar edhe më tej, sulme ndaj partnerëve strategjikë. E adresë e këtyre sulmeve është Kurti dhe VV-ja. Mbi 250 mijë qytetarë kanë kërkuar lejeqëndrim brenda BE-së. Për çdo ditë kemi rritje të çmimeve. Sot, çmimet e shportës bazë janë rritë 30-40%. Pagat kanë ngelur njëjtë. Shëndetësia nuk është privilegj, e sot njerëzit tanë përballen me pasiguri se në rast të një sëmundjeje si do t’ia dalin. Ne, në qendër të programit tonë e kemi ekonominë. Pa ekonomi të fortë s’ka shtet të zhvilluar. Kemi program të mirë për bizneset. Pagesa e TVSH-së në brendi, bizneset e vogla deri në 10 mijë euro, ata do të jenë të lirë nga tatimet”, tha ai.

Më tej, Hamza tha se PDK-ja s’e shoh diasporën si votë, por si potencial. Ai tutje para gjilanasve premtoi bursa prej 30 milionë euro për studentë, subvencionim për çerdhet për çiftet e reja, investime në kapacitete energjetike e rritje të pagave e pensioneve prej 50% dhe autostradën Prishtinë-Dheu i Bardhë.

“Ne nuk e shikojmë diasporën si votë, ata mund të votojnë si të duan, ata janë kontribues para e gjatë luftes, ne i shohim si potencial dhe i thërrasim të vijnë e të investojnë në Kosovë. Për shëndetësinë, barna të mjaftueshme e listë të zgjeruar të barnave esenciale, sigurime shëndetësore që qytetarët e Kosovës t’i marrin shërbimet në institucione publike e private. Bursa 30 milionë euro në vitin e parë për studentë. Për çifte të reja, do ta subvencionojmë mes çerdheve të sektorit publik dhe atij privat.  Do t’i rrisim pagat 50% për të gjithë, mësues, shërbyes civilë, policë ushtarë. Për kategoritë e dala nga lufta, rritje e pensioneve prej 50%. Kapacitete të reja energjetike edhe mbi bazën e thëngjillit. Përfundimin e rrugëve ekzistuese, jo vetëm Prishtinë-Gjilan, por Prishtinë-Dheu i Bardhë. Përmirësim i shëndetësisë dhe arsimit. Nuk do të ketë projekte në Gjilan që s’do ta kenë përkrahjen e qeverisë që do ta udhëheq PDK-ja”, tha ai.

Kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, tha se Kosova ka nevojë për një njëri si Bedri Hamza, i cili sipas tij, është personalitet i dëshmuar në të gjitha pozitat që ka qenë.

Zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor.

Go to TOP