Cakolli dhe Prestreshi kritikojnë ndarjen e 2 milionë eurove për fluturimet: Keqpërdorim dhe pabarazi elektorale
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit për ndarjen e edhe 2 milionë eurove shtesë për mbështetjen e linjave ajrore për fluturimet e mërgatës.
Sipas tij, ky vendim përbën “qershinë mbi tortë” në keqpërdorimin e resurseve publike për qëllime të pastra elektorale. Cakolli thekson se kjo praktikë tashmë e tejkalon nivelin e shkeljeve ligjore dhe cenon drejtpërdrejt parimin e zgjedhjeve të ndershme.
Ai vlerëson se një qasje e tillë po e deformon garën zgjedhore duke krijuar një proces të pabarabartë, ku partia në pushtet siguron avantazh përmes përdorimit të parasë publike dhe mekanizmave institucionalë, në vend të një gare të drejtë dhe të barabartë politike.
Sipas Cakollit, praktikat e tilla rrezikojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në institucionet demokratike të vendit.
Ndërkohë, reagimeve i është bashkuar edhe Valon Prestreshi, kandidat për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës me numër 108.
Prestreshi ka deklaruar se mjetet prej 2 milionë eurosh për blerjen e biletave të fluturimeve janë destinuar vetëm për elektoratin e Lëvizja Vetëvendosje.
“Kjo qasje është e mjerueshme, pabarazi, ndasi në popull dhe autokraci!”, ka theksuar ai.
Sipas tij, vendime të tilla jo vetëm që krijojnë pabarazi politike, por edhe thellojnë ndasitë në shoqëri dhe dëmtojnë standardet demokratike në vend. /Kosova.info/
