Deda: 2 milionët për mërgatën, vendim partiak në prag zgjedhjesh
Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore për mërgatën.
Deda e ka cilësuar këtë vendim si një veprim që “e mbivendos partinë ndaj shtetit” duke theksuar se nuk ka më vend për debat kur, sipas tij, është e qartë se vendimet po merren në funksion të interesave partiake në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Ky vendim i qeverisë në detyrë e mbivendosë partinë ndaj shtetit. Nuk kemi çka debatojmë më këtu me kësi lloj vendimesh kur po shihet qartë që gjithçka është në shërbim të partisë në prag të zgjedhjeve me 7 qershor,” ka deklaruar Deda.
Ai ka pasur edhe një mesazh për partitë e tjera politike duke u bërë thirrje që të reflektojnë për hapat e ardhshëm dhe të mos kufizohen vetëm në ankesa.
“Partitë e tjera le të mendojnë mirë për veprimet e radhës, veç mos të ankohen e vajtojnë,” ka shtuar ai.
Vendimi i Qeverisë në detyrë për mbështetjen e udhëtimeve ajrore për mërgatën ka nxitur reagime të shumta në skenën politike, veçanërisht për kohën e marrjes së tij, pak ditë para procesit zgjedhor. /Kosova.info/
