Kurti nis punimet në rrugën Mushtisht–Delloc: Investim 1 milion euro për lidhjen Suharekë–Shtërpcë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve në rrugën rajonale R-118, nga qendra e Mushtishtit deri në Delloc.
Ky projekt rrugor, me gjatësi prej 1140 metrash dhe vlerë prej 1 milion euro, synon të lidhë Shirokën me Shtërpcën duke kaluar përmes Mushtishtit. Sipas Kurtit, kjo rrugë ka rëndësi të madhe për qytetarët, zhvillimin ekonomik dhe sidomos për turizmin.
Ai theksoi se lidhja e Suhareka me Shtërpca do të krijojë kushte më të mira për bizneset dhe për bashkatdhetarët që vizitojnë Kosovën duke veçuar potencialin turistik të zonës nga bjeshkët e Mushtishtit deri në Brezovica.
Kurti njoftoi se Qeveria ka marrë vendimin për shpronësimet e nevojshme dhe se punimet kanë nisur pa vonesa, ndërsa u bëri thirrje operatorëve ekonomikë që të përshpejtojnë dinamikën e punimeve.
Në përfundim, ai falënderoi të gjithë akterët e përfshirë dhe u shpreh se do të rikthehen për përurimin e kësaj rruge të rëndësishme për rajonin. /Kosova.info/
