KQZ certifikon 3 koalicione, 1 kandidat të pavarur, refuzon 2 subjekte
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi pjesëmarrjen në zgjedhje për Kuvend të 3 koalicioneve, 1 kandidati të pavarur dhe refuzoi certifikimin e 2 subjekteve politike.
Në mbledhje, KQZ mori vendim për certifikimin e 4 prej 5 subjekteve të reja politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë periudhës 2 maj – 10 maj 2026.
Pas plotësimit të kritereve të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore të KQZ-së, subjektet e certifikuara (3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur) janë: Koalicioni me emrin Lëvizja VETËVENDOSJE!, i cili përbëhet nga 4 parti politike të regjistruara: Lëvizja VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane; Koalicioni me emrin Koalicija Vakat, i cili përbëhet nga 2 parti politike të regjistruara: Demokratska Stranka Bošnjačka dhe Demokratska Stranka Vatan; Koalicioni me emrin ASHKALITË E BASHKUAR, i cili përbëhet nga 3 parti politike të regjistruara: Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; dhe kandidati i pavarur Esmir Kasi.
KQZ mbështeti rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) për refuzimin e certifikimit të nismës qytetare Složno Pobeđujemo, pasi ky subjekt nuk ka arritur të përmbushë kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që kërkohen gjatë aplikimit për certifikim.
Në paragrafin 7 të nenit 16 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme është përcaktuar se “…secili aplikim për certifikim përfshin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve siç parashihet me rregullën e KQZ-së”, ndërsa në paragrafin 7 të nenit 2 të Rregullores Zgjedhore Nr. 04/2024 për Certifikimin e Subjekteve Politike dhe të Kandidatëve të tyre, subjektet politike që aplikojnë për certifikim obligohen ta dorëzojnë listën e mbështetësve me së paku 1,000 nënshkrime.
Po ashtu, KQZ mbështeti rekomandimin e Zyrës për refuzimin e certifikimit të partisë politike të regjistruar, SDA – Stranka Demokratske Akcije, pasi ky subjekt politik joparlamentar nuk ka arritur të përmbushë kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që kërkohen gjatë aplikimit për certifikim.
Në përgjithësi, pas vendimeve të mbledhjes së sotme, subjektet politike (3 koalicione, 17 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur) në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë: KOALICIONET: Lëvizja VETËVENDOSJE!, ASHKALITË E BASHKUAR dhe Koalicija Vakat. PARTITË POLITIKE: PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK, LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK, AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, KNRP, PSA, ZA SLOBODU PRAVDU I OPSTANAK, SRPSKA LISTA, FJALA, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – PREBK, SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU, JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA, KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – KDTP, NOVA DEMOKRATSKA STRANKA, PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE, INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS – IRDK dhe PSD. KANDIDAT I PAVARUR: Esmir Kasi.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për rritjen e numrit të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik në konsullatën e Kosovës në Frankfurt, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, në të cilën do të votohet më 6 qershor 2026.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim në këtë përfaqësi diplomatike është rritur nga 1,500 në 1,900.
KQZ fillimisht kishte miratuar dy vendvotime me kapacitet prej 750 votuesish për secilin, por për shkak të numrit të madh të regjistrimeve dhe vetëm 113 vendeve të lira, është vlerësuar e nevojshme rritja e kapacitetit për të mos kufizuar të drejtën e votës së qytetarëve.
Pas konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe konfirmimit nga Konsulli i Përgjithshëm në Frankfurt, u konstatua se misioni diplomatik ka kushte të mjaftueshme hapësinore dhe logjistike për të administruar deri në 1,900 votues, prandaj rekomandohet rritja në 950 votues për secilin vendvotim.
