Slot: Do të jem trajner i Liverpool edhe sezonin tjetër

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka hedhur poshtë spekulimet për të ardhmen e tij, duke deklaruar se beson fuqishëm se do të vazhdojë në stolin e klubit edhe sezonin e ardhshëm.

Liverpool po kalon një sezon zhgënjyes në Premier League, pasi renditet në vendin e katërt me njëzet pikë më pak se lideri Arsenal. Kjo vjen vetëm një vit pasi Slot e kishte udhëhequr ekipin drejt titullit kampion në sezonin e tij të parë.

Klubi kishte shpenzuar rreth 450 milionë funte për transferime verën e kaluar, por rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritjeve. Problemet me lëndime, si dhe vdekja tragjike e futbollistit Diogo Jota në një aksident automobilistik në korrik, kanë ndikuar në ecurinë e skuadrës.

“Kam çdo arsye të besoj se do të jem trajner i Liverpoolit sezonin tjetër”, ka thënë Slot në konferencën për media para ndeshjes ndaj Aston Villa.

Ai ka theksuar se është nën kontratë me klubin dhe se po merr pjesë aktivisht në planet për sezonin e ardhshëm, përfshirë transferimet dhe organizimin e përgatitjeve verore.

Liverpool po lufton për të siguruar një vend në top-pesëshe, që garanton pjesëmarrjen në Champions League. Dy xhiro para fundit, “The Reds” kanë katër pikë më shumë se Bournemouth që ndodhet në vendin e gjashtë.

Megjithatë, pakënaqësitë e tifozëve ndaj Slot janë shtuar muajt e fundit. Në barazimin 1:1 ndaj Chelsea fundjavën e kaluar, tifozët kanë reaguar me fishkëllima pas ndeshjes dhe kanë kritikuar vendimin e tij për ta zëvendësuar talentin Rio Ngumoha.

Slot ka thënë se debatet për trajnerët janë bërë pjesë normale e futbollit modern.

“Kur një klub nuk ka sezonin më të mirë, gjithmonë ka diskutime. Kjo ndodh kudo në botë”, ka deklaruar ai.

Trajneri holandez ka shtuar se pret ndryshime në skuadër gjatë verës dhe premtoi një Liverpool “ndryshe” sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, ish-mesfushori legjendar i Liverpool, Xabi Alonso, ishte përfolur si pasues i mundshëm i Slot. Por raportimet e fundit thonë se spanjolli mund të marrë drejtimin e Chelsea.

Slot e ka konfirmuar se Mohamed Salah do të jetë i gatshëm për një rol të kufizuar ndaj Aston Villas, pas lëndimit muskulor që kishte pësuar muajin e kaluar. Egjiptiani do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit, pas nëntë viteve të suksesshme në “Anfield”.


Go to TOP