Dibrani priti në takim lamtumirës Atasheun e ICITAP-it, falënderon SHBA-të për mbështetjen ndaj SHKK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në një takim lamtumire Atasheun e ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, znj. Kimberly Riffe.

Në këtë takim, Dibrani falënderoi znj. Riffe për përkushtimin e saj personal dhe bashkëpunimin e mbështetjen e vazhdueshme që ICITAP i ka ofruar Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë viteve duke theksuar se ky partneritet ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e kapaciteteve profesionale, themelimin e Departamentit të Inteligjencës, forcimin e sigurisë dhe avancimin e standardeve të trajtimit në institucionet korrektuese.

Drejtori Dibrani theksoi se ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin dhe avancimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe madje në vitin e kaluar është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Shoqata Ndërkombëtare e Korrektimeve dhe Burgjeve, ICPA. 

Dibrani e përmendi edhe anëtarësimin në shoqatat ndërkombëtare si një hap i rëndësishëm që e ka pozicionuar Kosovën në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën korrektuese duke forcuar shkëmbimin e praktikave më të mira dhe standardeve profesionale. 

Në fund të takimit, Drejtori Dibrani shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara duke ritheksuar përkushtimin e institucionit për të vazhduar në rrugën e avancimit dhe të qenit model suksesi për vendet e rajonit dhe më gjerë. /Kosova.info/

Go to TOP