Hapet konkursi për doktoratë në UP: 61 vende të lira në 5 fakultete
Universiteti i Prishtinës ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës për vitin akademik 2026/’27, ku parashihen gjithsej 61 vende të lira në pesë njësi akademike dhe në nëntë programe studimi.
Kandidatët mund të aplikojnë në programe të ndryshme të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Edukimit. Aplikimi lejohet edhe për më shumë se një program doktorate.
Kusht për pjesëmarrje në konkurs është nota mesatare mbi 8.0 në studimet bachelor dhe master. Afati i aplikimit fillon më 12 maj 2026 dhe përfundon më 26 qershor 2026, në ora 16:00.
Të gjitha informatat mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat e aplikimit gjenden në konkursin zyrtar, ndërsa aplikimi bëhet online përmes platformës së universitetit.
Për çështje teknike ose sqarime rreth aplikimit, kandidatët mund të kontaktojnë Departamentin e Teknologjisë së Informacionit ose Departamentin për Çështje Akademike përmes email-eve zyrtare të UP-së.
Universiteti i Prishtinës thekson se procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe në bazë të parimit të meritokracisë duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë aplikantët. /Kosova.info/
