LDK vazhdon mobilizimin: Armend Grajqevci zyrtarizon kandidaturën për deputet
Kryetari i FRLDK-së, dega e Lipjanit, Armend Grajqevci ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përmes një postimi publik, Grajqevci ka thënë se vendimi i tij vjen në një kohë kur Kosova, sipas tij, po kalon në destabilitet të thellë dhe procese të njëpasnjëshme zgjedhore duke theksuar nevojën për unitet dhe përgjegjësi politike.
Ai ka rikujtuar angazhimin e tij politik ndër vite duke përmendur faktin se është zgjedhur dy herë asambleist në qytetin e tij dhe ka ushtruar detyrën e kryetarit të forumit rinor të degës së partisë.
“E marr këtë përgjegjësi me vetëdije të plotë se nuk është privilegj për veten, por detyrim për shërbim ndaj qytetarëve”, ka shkruar Grajqevci.
Tutje, ai ka theksuar se kontributin e tij politik e sheh më së miri brenda LDK-së, të cilën e ka quajtur “vatër të lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të republikës”.
Në mesazhin e tij, Grajqevci ka falënderuar strukturat e degës për besimin dhe mbështetjen, ndërsa është shprehur i bindur se Kosova meriton një të ardhme më të mirë.
“Me besim në Zot, familje e shtet e nisi këtë rrugëtim me bindjen se Kosova meriton dhe do të bëhet më mirë”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
