Kriza në sektorin e qumështit, fermerët alarmojnë për mosgrumbullim dhe rënie të çmimit me 30%

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHQPK) ka bërë të ditur se sektori i qumështit po përballet me një situatë të rëndë, si pasojë e mosgrumbullimit të një sasie të konsiderueshme të qumështit dhe uljes së çmimit për rreth 30 për qind.

Sipas njoftimit, gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të SHQPK-së u diskutua gjendja aktuale në terren dhe vështirësitë me të cilat po përballen fermerët.

Në pjesën e dytë të takimit morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja, si dhe drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV), ku u shpreh shqetësim për pasojat që po shkakton mosgrumbullimi i qumështit në sektor.

Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat reale të zinxhirit të qumështit duke përfshirë prodhuesit, përpunuesit dhe tregun.

SHQPK njoftoi se ministri Muja ka premtuar ndërmarrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e sektorit dhe mbrojtjen e konsumatorit.

“Besojmë dhe shpresojmë se hapat konkretë të zotuar sot do të kontribuojnë shpejt në zgjidhjen e kësaj situate dhe në rikthimin e stabilitetit në fermat tona”, thuhet në reagimin e shoqatës. /Kosova.info/


Go to TOP