Abdyli: Adem Gashi ishte kreshnik i letërsisë shqiptare

Në përurimin e kompletit të veprave të poetit Adem Gashi, publicisti Izet Abdyli mbajti një fjalim emocionues duke e cilësuar atë si “kreshnik të letërsisë” dhe një personalitet shumdimensional të kulturës shqiptare.

Abdyli tha se ndihej i vogël përballë madhështisë së figurës së Adem Gashit, të cilin e përshkroi si poet me talent të rrallë, prozator të shkëlqyer, eseist të mprehtë dhe atdhetar të devotshëm.

Ai rikujtoi rrugëtimin e Gashit që nga hapat e parë në shkollën fillore në Nekoc, publikimin e poezisë së parë në revistën “Pioneri”, angazhimin në Normalen e Prishtinës dhe sukseset e vazhdueshme në konkurset letrare të gazetave e revistave të kohës si “Rilindja”, “Bota e Re”, “Zëri” dhe “Fjala”.

Sipas Abdylit, edhe gjatë kohës sa vuante dënimin me burg për bindjet politike, Adem Gashi vazhdonte të vlerësohej për krijimtarinë e tij. Ai përmendi tregimin “Nusja e maleve dhe trimi”, i cili ishte shpërblyer nga “Rilindja” pa u ditur identiteti i autorit.

Në fjalën e tij, Abdyli ndau edhe disa kujtime personale me shkrimtarin duke vlerësuar modestinë, urtësinë dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar krijuesit e rinj. Ai tha se Adem Gashi ishte një erudit që zotëronte njohuri të thella jo vetëm në letërsi, por edhe në histori, kulturë, politikë dhe fusha të tjera.

Po ashtu, ai veçoi angazhimet institucionale të Gashit, si drejtues i Televizionit të Prishtinës, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe këshilltar në institucione të rëndësishme të vendit.

Në fund të fjalës së tij, Abdyli u shpreh se Adem Gashi i ka ngritur shqiptarisë një “obelisk” me veprën e tij letrare duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP