Miftari: Letërsia dhe vetëdija kombëtare, nga etnosimbolizmi te trashëgimia e Ibrahim Rugova
Intervistë dhënë “Torino plus”-it
Vehbi Miftari, ambasador i Kosovës në Selinë e Shenjtë, shkrimtar, flet për krijimtarinë e tij, mbi rrënjët kulturore të kombeve dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës.
Nga: Giovanni Firera
Poet, profesor universitar dhe diplomat, Vehbi Miftari është një nga zërat më autoritativ të kulturës së Kosovës. Libri i tij i fundit – fryt i dhjetë viteve kërkimi – eksploron lidhjen e thellë midis krijimit letrar dhe vetëdijes kombëtare, përgjatë shekujve dhe qytetërimeve.
E takuam për të folur për etno-simbolizmin, romantizmin, heronjtë epikë dhe figurën e Ibrahim Rugovës, njeriun që i dha pavarësisë së Kosovës një fytyrë njerëzore.
Ambasador Miftari, për çfarë flet libri juaj i fundit?
Është një studim që e kam zhvilluar për dhjetë vjet. Qëllimi ishte të interpretoja lidhjen midis letërsisë dhe vetëdijes që kombet kanë për veten dhe për të tjerët. Jam përpjekur të kuptoj lidhjen midis krijimit artistik dhe ideve që kombet kanë për marrëdhëniet e tyre të brendshme dhe me botën e jashtme. Më ka udhëhequr, ndër të tjera, paradigma e studiueses franceze, Anne-Marie Thiesse, e cila flet për jehonën e kohërave në këngët epike – një fillim për ndërtimin e një narrative kombëtare dhe lidhjen midis krijimtarisë gojore dhe vetëdijes kolektive.
Libri përkufizohet si historik, filozofik dhe kulturor. Në ç’kuptim është kulturor?
Për herë të parë, të paktën në letërsinë shqipe, realizohet një studim ndërdisiplinor midis këtyre fushave. Është kulturor sepse ndjek zhvillimin kulturor të kombeve duke u përpjekur të interpretojë lidhjen midis kulturave, midis kulturës dhe fesë, midis kulturës dhe dimensioneve shoqërore. Kam ndjekur këtë rrugëtim në kohë, nga letërsia gojore epike deri te debatet e mëdha të shekullit XIX midis Goethes, i cili e shihte letërsinë si një fenomen universal, dhe Herderit, që e konsideronte atë të lidhur me identitetin kombëtar. Unë mbroj idenë se letërsia është universale në thelb, por lind gjithmonë nga idetë e atyre që e krijojnë.
Çfarë do të thotë koncepti i «etnosimbolizmit» që trajtoni në libër?
Etnosimbolizmi është një nga katër paradigmat e mëdha në teorinë e kombeve. Ai pohon se lindja e popujve është e lidhur ngushtë me kujtesën kolektive dhe me simbolet etnike. Përfaqësuesi i saj më i madh, Anthony D. Smith, e ka zhvilluar këtë qasje në kundërshtim me modernistët (Benedict Anderson, Eric Hobsbawm dhe Ernest Gellner), të cilët mendojnë se kombet janë një produkt modern – rezultat i industrializmit dhe shpikjes së mediave në shekullin XVIII. Në kontekstin ballkanik, mendoj se qasja etnosimboliste është më bindësja: rrënjët tona janë thellësisht kulturore.
Ju trajtoni gjithashtu Marin Barletin dhe figurën e Skënderbeut. Pse?
Marin Barleti është autori i parë i letërsisë shqipe, edhe pse shkroi në latinisht – gjuha e kultivuar e kohës së tij – për një subjekt thellësisht shqiptar: jetën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ai shkruante si i mërguar, i strehuar në Venedik pas rënies së Shqipërisë (asokohe e quajtur Arbëria), në vitin 1479 duke sjellë me vete kujtimet e tij dhe të atyre që kishin jetuar në atë kohë. E kam interpretuar këtë fenomen si një shembull të jashtëzakonshëm të mënyrës se si kujtesa nxit krijimin artistik dhe ushqen kujtesën kolektive, e cila nga ana e saj forcon vetëdijen historike dhe kulturore të një populli.
Ibrahim Rugova: një hero mitik apo një hero modern?
Nëse e përkufizojmë heroin si dikë që mbron kombin e vet dhe promovon vlerat universale të humanizmit, atëherë Ibrahim Rugova është padyshim një hero – në të gjitha këto kuptime. Ai e mbajti gjallë kombin, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe e mbrojti atë me mjete moderne, kurrë me armët e dhunës. Sot e konsiderojmë arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Por ka edhe diçka më të thellë: ai i dha politikës atë që shpesh i mungon, pra dimensionin njerëzor. Ishte një humanist i vërtetë. Luftoi për lirinë e popullit të tij pa thënë kurrë një fjalë kundër një kombi tjetër. Donte paqe për Kosovën, por edhe për të tjerët.
Vehbi Miftari është ambasador i Kosovës pranë Selisë së Shenjtë. Eseja e tij është në proces përkthimi në italisht nga shtëpia botuese “Morrone” në Sirakuzë.
