Dy motra nga Mitrovica bëhen Doktore të Shkencave Mjekësore

Komuniteti mjekësor është pasuruar sot me dy arritje të jashtëzakonshme akademike. 

Brenda vetëm dy ditësh, në Universitetin “Semmelweis” të Budapestit, dy motra nga Mitrovica mbrojtën me sukses tezat e tyre të doktoratës.

Dr. Fjolla Zhubi Bakija mbrojti doktoratën në lëminë e Kardiologjisë, ndërsa Dr. Esra Zhubi në lëminë e Neurologjisë, duke shënuar kështu një kapitull të ri në karrierat e tyre profesionale.

Ky sukses është vazhdimësi e një tradite të shkëlqyer familjare dhe profesionale. 

Ato janë bijat e infektologes së njohur në Mitrovicë, Dr. Luljeta Buçinca-Zhubi.

Arritjet e tyre në një nga universitetet më prestigjioze të mjekësisë në Evropë janë një krenari jo vetëm për familjen Zhubi, por për Kosovën dhe qytetin e Mitrovicës.

Ky është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe shkencës që lartëson emrin e mjekësisë kosovare në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP