LBK: Pezullohet tarifa 234€ për kyçje në ujë, lehtësohen bizneset dhe qytetarët

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës, ka njoftuar se është pezulluar vendimi për rritjen e tarifave të ujit, pas një serie konsultimesh me Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Sipas njoftimit, në mënyrë të veçantë është pezulluar tarifa e kyçjes në ujë në vlerë prej 234 euro duke bërë që tarifat të mbeten në nivelin aktual dhe të mos ketë ndryshime për qytetarët dhe bizneset.

Ky vendim konsiderohet si një lehtësim i menjëhershëm financiar, sidomos në një periudhë sfiduese ekonomike duke shmangur kosto shtesë për komunitetin e biznesit dhe konsumatorët.

Përfaqësuesit e bizneseve theksuan se ky zhvillim është rezultat i bashkëpunimit dhe dialogut institucional, ndërsa u zotuan se do të vazhdojnë të angazhohen në mbrojtje të interesave të afaristëve dhe në promovimin e politikave të qëndrueshme ekonomike. /Kosova.info/


Go to TOP