Nxënësit nga Medvegja vizitë arsimore në Prishtinë, forcohen lidhjet përmes gjuhës dhe edukimit

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtina ka mirëpritur sot nxënës dhe profesorë nga Shkolla e Mesme “Nikolla Tesla” në Medvegja, në një vizitë me rëndësi të veçantë arsimore dhe kulturore.

Kjo vizitë synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë duke promovuar arsimin, gjuhën dhe shkëmbimin e përvojave, në frymën e thënies së Ismail Kadare se “Atdheu i vërtetë i shqiptarëve është gjuha shqipe”.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, delegacioni vizitoi disa institucione arsimore dhe hapësira edukative, përfshirë SHFMU “Emin Duraku”, SHMLP “7 Shtatori” (Tregti-Hoteleri-Turizëm), Gjimnazin “Xhevdet Doda” si dhe “Reporting House”.

Po ashtu, delegacioni u prit nga Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i cili vlerësoi rëndësinë e këtyre vizitave në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Drejtoria Komunale e Arsimit, e udhëhequr nga drejtori Samir Shahini, ka theksuar përkushtimin e saj për të mbështetur iniciativa që fuqizojnë lidhjet ndërmjet institucioneve arsimore dhe promovojnë zhvillimin e përbashkët.

“Mirë se erdhët në Prishtinë!”, ishte mesazhi i tyre për mysafirët nga Medvegja. /Kosova.info/

Go to TOP