Prishtina ndëshkon “Ujësjellësin” për ndërhyrje të paautorizuara në rrugë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj ndërmarrjes “Ujësjellësi”, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore.
Sipas njoftimit, këto ndërhyrje kanë lënë pas rrugë në gjendje të rënduar dhe të pasigurt për qytetarët. Autoritetet komunale theksojnë se, bazuar në procedurat në fuqi, çdo intervenim duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë, me qëllim sigurimin e zonës së punimeve dhe sanimin e menjëhershëm të asfaltit dhe trotuareve pas përfundimit të tyre.
Megjithëse ndërmarrja ishte paralajmëruar disa herë për respektimin e këtyre rregullave, praktika e ndërhyrjeve pa leje ka vazhduar. Si pasojë, Inspektorati i Komunës ka shqiptuar gjoba në dy raste të ndara.
Komuna ka bërë thirrje për respektim të rregullave duke theksuar se çdo shkelje e tillë do të trajtohet me masa ndëshkuese për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. /Kosova.info/
