Azemi: Tërheqja e ZRRE-së nga rritja e çmimit të rrymës, fitore e qytetarëve
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të mos rritur tarifat e energjisë elektrike duke e cilësuar këtë si një fitore për qytetarët.
Azemi theksoi se ky vendim vjen pas, siç e quajti ai, “skandalit të madh me njehsorët elektrikë” dhe kërkesës së vazhdueshme të LDK-së që të mos merret asnjë vendim për rritje çmimi pa u zbardhur plotësisht situata.
Sipas tij, reagimi i qytetarëve dhe presioni publik kanë ndikuar drejtpërdrejt në tërheqjen e ZRRE-së nga rritja e tarifave.
“Ky është një dëshmi se kur ngremë zërin dhe kërkojmë drejtësi, rezultatet vijnë”, ka deklaruar Azemi.
Megjithatë, ai shtoi se beteja nuk përfundon me këtë vendim duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe kthimin e mjeteve tek qytetarët, nëse konstatohet se ka pasur keqpërdorime. /Kosova.info/
