Begaj: Humbëm Eliot Engel, një mik të madh të popullit shqiptar
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të popullit shqiptar dhe një mbështetës të vazhdueshëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në një mesazh publik, Presidenti Begaj theksoi se Engel ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm në mbrojtje të shqiptarëve, veçanërisht në periudhat më të vështira historike për Kosovën.
“Sot humbëm Eliot Engel, një mik të madh të popullit shqiptar dhe gjithmonë një zë të fortë për ta. Faleminderit për gjithçka që bëtë për Kosovën dhe për kombin tonë,” thuhet në mesazhin e Presidentit Begaj.
Ai shtoi se emri i Engel do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat e shqiptarëve si një prej mbështetësve më të rëndësishëm ndërkombëtarë të kauzës shqiptare.
Presidenti përmbylli mesazhin me ngushëllime për familjen e tij dhe me fjalët “Pushoni në paqe”.
