Shukrije Ramadani në përvjetorin e Koshares: Mos ta ruajmë pushtetin, por shtetin

Në 27-vjetorin e Beteja e Koshares, një nga përballjet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, Shukrije Ramadani ka përkujtuar me krenari dhe mall bashkëshortin e saj, komandantin e Brigadës 138, Agim Ramadani, i rënë për idealin e lirisë.

Duke folur nga Koshara, ajo ka shprehur kritika të drejtpërdrejta ndaj partive politike duke theksuar se interesat shtetërore duhet të jenë mbi ato partiake. Sipas saj, është e dhimbshme të shihen “interesa meskine shumë të ulëta”, kur sakrifica për liri ishte shumë më e madhe.

“Mos ta ruajmë pushtetin, por ta ruajmë shtetin. Shteti është i përhershëm, pushteti është i përkohshëm”, ka deklaruar ajo duke bërë thirrje që liderët politikë t’i përgjigjen besimit dhe votës së qytetarëve.

Ramadani ka rrëfyer edhe për dhimbjen personale që vazhdon prej 27 vitesh nga rënia e bashkëshortit të saj duke e cilësuar atë jo vetëm si bashkëshort, por edhe si shokun e jetës.

“Ai ka qenë dashuria ime e vetme. Nuk ka qenë vetëm bashkëshorti im, por shoku me të cilin jam rritur. Çdo ditë ka qenë e vështirë dhe do të jetë deri në fund”, u shpreh ajo.

Megjithatë, ajo theksoi se krenaria për sakrificën e tij dhe të gjithë dëshmorëve po e tejkalon dhimbjen, sidomos në përvjetorë si ky.

Duke kujtuar luftën, Ramadani bëri thirrje për unitet duke nënvizuar se vetëm të bashkuar mund të arrihen fitore të mëdha.

“Të marrim një mësim nga lufta – u bashkuan forcat pa shikuar krahë politikë. Vetëm me idealin për të qenë bashkë dhe për të fituar mbi armikun. Të bashkuar fituan”, deklaroi ajo.

Agim Ramadani, i njohur me nofkën “Katana”, ra më 11 prill 1999 gjatë kësaj beteje historike, ku në përpjekjen për thyerjen e kufirit Kosovë–Shqipëri humbën jetën 114 luftëtarë të UÇK-së. /Kosova.info/

Go to TOP