Mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: E drejta për gjuhën shqipe është e panegociueshme

Organizata Rrënjët Shqiptare ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët së fundmi kanë protestuar në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre themelore.

Përmes një reagimi publik, kjo organizatë ka vlerësuar lart qëndrimin dinjitoz të studentëve duke theksuar se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe në arsim dhe institucione publike nuk është thjesht një kërkesë, por një e drejtë themelore njerëzore dhe demokratike.

“E drejta për të mësuar dhe për të jetuar në gjuhën amtare është e patjetërsueshme. Guximi i studentëve për t’u përballur me padrejtësinë është dëshmi se rinia shqiptare mbetet mbrojtësja më e fortë e identitetit dhe dinjitetit kombëtar”, thuhet në reagim.

Rrënjët Shqiptare ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojë të qëndrojë përkrah studentëve duke nënvizuar se zëri i tyre tashmë po dëgjohet në të gjitha komunitetet shqiptare, përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund, organizata u ka bërë thirrje institucioneve në Maqedonia e Veriut që të respektojnë plotësisht të drejtat e studentëve shqiptarë dhe të zbatojnë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe duke garantuar barazi reale për të gjithë qytetarët.

Reagimi përmbyllet me një mesazh inkurajues për studentët: të qëndrojnë të bashkuar, të fortë dhe të vazhdojnë përpjekjen e tyre me dinjitet dhe vendosmëri. /Kosova.info/

Go to TOP