‘Dritë në heshtje’, ekspozita që shpreh botën e fëmijëve me autizëm
Me rastin e Ditës Botërore të Autizmit, piktorja dhe nëna e një fëmije me autizëm, Sanije Hajzeri Isufi, ka hapur ekspozitën “Dritë në heshtje”. Përmes veprave të saj artistike, ajo shpreh ndjeshmërinë, përjetimet dhe botën unike të fëmijëve me autizëm, duke sjellë një mesazh humanizmi dhe reflektimi për shoqërinë.
Përmes artit që flet përtej fjalëve, Sanije Hajzeri Isufi ka zgjedhur të shprehë ndjeshmërinë, përvojën dhe botën unike të fëmijëve me autizëm në ekspozitën “Dritë në heshtje”, e cila sjell punime frymëzuese, dhe njëherit është prind i një fëmije me autizëm. Kjo ekspozitë e veçantë është hapur me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin.
“Puna jonë nuk duhet të ndalet dhe do të vazhdojmë edhe më shumë për t’i ndihmuar prindërit që ballafaqohen çdo ditë me probleme, si rezultat i nevojave të fëmijëve me autizëm, sepse nuk janë të mjaftueshme ajo që ofron as niveli lokal e as ai qendror”, është shprehur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Një udhëtim emocional ndërmjet ngjyrave dhe portretit, piktorja Sanije Isufi e ka shpalosur përmes koleksionit të veprave, që njëherit është një kujtim artistik mbi forcën e padukshme të ndjenjave, ku drita shërben si udhërrëfyes në botën tonë të brendshme dhe të qetë.
Sanije Hajzeri Isufi është shprehur se: “Çdo pikturë është një natë pa gjumë, dhe përmes ngjyrave e tregoj dhimbjen, përjetimet dhe historinë. Vajza më ka lindur gjatë luftës, por lufta nuk ka mbaruar aty, por ka filluar pas luftës duke e parë vajzën teksa po rritej dhe duke vërejtur që nuk është diçka në rregull, deri në momentin kur e kuptova se vajza ime është me autizëm.”
Zërat sikurse ai i Sanije Isufi na tregojnë se përmes artit nuk sjellim vetëm bukuri, por edhe kuptim, ndjeshmëri, reflektim dhe humanizëm për shoqërinë tonë.
“Figura jote si nënë na vendos përballë një të vërtete thelbësore, se kujdesi është një nga format më të larta të krijimit, një akt i përditshëm, i padukshëm, por thellësisht transformues. Një krijim që ndodh në heshtje, me durim dhe dashuri pa kushte,” ka thënë Sibel Halimi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.
“Zonja Sanije më thoshte se gjatë realizimit të pikturave, dora veç po e mban brushën, ndërsa ajo që po punon është syri, mendja dhe zemra. Ajo që ne kemi përjetuar,” ka thënë Besmire Grajqevci, themeluese e Shoqatës për Zhvillim dhe Komunikim Zëri.
Kjo ditë e rëndësishme ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror për autizmin, si dhe promovimin e përfshirjes, mirëkuptimit dhe mbështetjes për fëmijët dhe familjet e tyre.
Kjo ekspozitë me veprat artistike të prezantuara në hapësirat e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës do të qëndrojë e hapur deri më 10 prill dhe është organizuar nga Shoqata për Zhvillim dhe Komunikim Zëri me përkrahjen e Komunës së Prishtinës.

