Kuvendi mblidhet të enjten në seancë plenare, në rend dite 16 pika

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten në seancën e rregullt plenare, e cila do të mbahet në orën 10:00, ku në rendin e ditës janë gjithsej 16 pika, përfshirë një sërë projektligjesh për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, si dhe disa amendamente të marrëveshjeve financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2017 dhe IPA 2018.

Në seancë pritet të shqyrtohen edhe marrëveshje kredie me Bankën Evropiane për Investime, BERZh dhe Fondin Saudit për Zhvillim, për projekte që lidhen me energjinë diellore fotovoltaike në KEK, efiçencën e energjisë në ndërtesa publike, rrugën me shpejtësi të lartë Prishtinë–Mitrovicë, si dhe projektin për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë.

Po ashtu, në rend dite janë edhe disa pika që lidhen me formimin e komisioneve Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare, si dhe buxhetin e Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026.

Në fund, Kuvendi pritet të formojë edhe Komisionin Ad-hoc për hartimin e Projektligjit për parandalimin e vetëvrasjes.

Go to TOP