Më shumë se futboll: Diplomacia e fushës dhe krenaria e një shteti
Shkruan: Ilir KRASNIQI
Pavarësisht se ëndrra për kualifikim në Kampionatin Botëror u ndërpre në fazën finale, Kombëtarja e Kosovës po kalon periudhën më të mirë të konsolidimit të saj.
Është vërtet emocionuese të shohësh këtë rritje vertikale të Kombëtares së Kosovës. Pas përfundimit të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror, Kombëtarja e Kosovës po dëshmon se eliminimi nuk është fundi, por një pikënisje e re. Në një periudhë rekord, ekipi ka arritur një konsolidim që pak kush e parashikonte, duke u shndërruar nga një grup lojtarësh të talentuar në një forcë unike kolektive. Ky transformim mban vulën e trajnerit Franco Foda. Ai arriti të ndërtojë atë që i mungonte më së shumti përfaqësueses: ekuilibrin mes repartit defensiv dhe sulmit. Foda ka instaluar një mentalitet ku fanella peshon më shumë se egoja, duke e bërë Kosovën një kundërshtar të vështirë për këdo në arenën ndërkombëtare
Vlerësimi Shtetëror: Krenaria mbi Rezultatin
Pritja nga Presidentja Osmani nuk është thjesht një ceremoni protokollare. Pritja dhe dekorimi i futbollistëve nga Presidentja Osmani, ishte një akt i domosdoshëm vlerësimi Është një mesazh i qartë se sporti është diplomacia më e mirë e Kosovës dhe se shteti qëndron pas djemve që djersijnë në fushë. “Ky është vetëm fillimi…” – Kjo fjali e Presidentes Osmani rezonon me çdo tifoz. “Pavarësisht rezultatit, krenaria që këta djem i kanë dhënë vendit është e pamatshme. Kjo nuk mund të shprehet plotësisht as me fjalë e as me dekorata.” Sipas Osmanit, ky ekip është “befasia më e bukur” e këtyre kualifikimeve, duke fituar respektin e ndërkombëtarëve dhe dashurinë e pakushtëzuar të publikut vendas.
Kosova po lë pas fazën e “pjesëmarrjes romantike” për të hyrë në atë të pretendimeve serioze. Me një bazë të shëndoshë lojtarësh dhe me një trajner që di të nxjerrë më të mirën nga kolektivi, rruga drejt kampionateve të mëdha tashmë duket më e qartë se kurrë. Ky rrugëtim ka dëshmuar se, kur bashkohet talenti me disiplinën dhe mbështetjen e pakursyer institucionale, rezultati është një kombëtare që bën të rrahë fort zemrën e çdo shqiptari.
Në këtë ekuacion suksesi, një vend meritor zënë tifozët e mrekullueshëm. Ata kanë dëshmuar një pjekuri të lartë sportive, duke kaluar nga kritika individuale e dikurshme në një mbështetje të palëkundur për ekipin si tërësi. Kudo ku luan Kosova, qoftë në stadiumin “Fadil Vokrri” që vlon nga energjia, apo në udhëtimet e largëta nëpër Evropë, përkrahja e tyre ka qenë motori i lojtarëve në fushë. Ky ndryshim i mentalitetit te tifozët – që festojnë përpjekjen e përbashkët dhe jo vetëm talentin e një individi – është treguesi më i qartë i rritjes së kulturës sonë futbollistike.
