Rama: Aktivitetet përkujtimore për luftën, thelbësore për ruajtjen e kujtesës kolektive
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në takim përfaqësueset e Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, me të cilat ka diskutuar mbi organizimin e aktiviteteve përkujtimore që do të mbahen gjatë muajve prill dhe qershor.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e këtyre iniciativave në dokumentimin e ngjarjeve të luftës dhe në pasqyrimin e vuajtjeve të qytetarëve. Sipas Ramës, këto aktivitete kanë rol të veçantë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj për historinë e vendit.
Ai nënvizoi se dokumentimi i saktë i masakrave, përmes dëshmive, fotografive dhe fakteve të verifikuara, është thelbësor për ruajtjen e së vërtetës dhe forcimin e kujtesës kolektive.
Kryeqyteti, sipas tij, do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që kontribuojnë në nderimin e sakrificës dhe në ruajtjen e së vërtetës historike. /Kosova.info/
