Zemaj paralajmëron hetim parlamentar: Do të shqyrtohet financimi i projekteve të Shkëlzen Gashit
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar lidhur me financimin e projekteve të autorit Shkëlzen Gashi duke shprehur shqetësim për rolin e institucioneve publike në këtë proces.
Zemaj theksoi se Gashi është i njohur për qëndrimet e tij mbi luftën dhe për, siç tha ai, përpjekjet e vazhdueshme për relativizimin e raporteve me Serbinë. Megjithatë, sipas tij, edhe më problematik mbetet fakti që institucionet kanë financuar projekte të tij, përfshirë libra dhe ekspozita.
Ai paralajmëroi se çështja do të trajtohet në nivel institucional duke bërë të ditur se të hënën do të angazhohet që në një komision parlamentar, ku është edhe vetë anëtar, të ftohen për raportim përfaqësues të institucioneve që kanë ndarë fonde publike për këto projekte.
Sipas Zemajt, kur institucionet përdorin taksat e qytetarëve për të mbështetur përmbajtje të tilla, ato marrin përgjegjësi për ndikimin që këto narrativa mund të kenë në kujtesën kolektive dhe në mënyrën se si prezantohet historia e Kosovës.
Ai shtoi se ky komision, i cili tashmë ka në kompetencë edhe trajtimin e vlerave të luftës çlirimtare, do të kërkojë llogari nga të gjitha institucionet përkatëse për mënyrën e ndarjes së fondeve dhe përgjegjësinë institucionale në këtë rast. /Kosova.info/
