Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë për herë të tretë, paralajmërojnë grevë të përgjithshme
Punëtorët e ndërmarrjes Prishtina Parking kanë dalë sot në protestë për herë të tretë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rritjen e pagave, pagesën e shujtës dhe sigurimin shëndetësor. Sipas protestuesve, këto janë kërkesa bazike që duhet të plotësohen nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës.
Punëtorët kanë bërë të ditur se, në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të ndërmarrin hapa të tjerë sindikalë, përfshirë edhe organizimin e një greve të përgjithshme.
Protesta po zhvillohet para zyrave të ndërmarrjes dhe pritet të zgjasë deri në orën 15:30. /Kosova.info/
