Tahiri kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria për krizën ekonomike
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur shqetësim për, siç tha ai, mungesën e veprimeve nga institucionet vendore për përballimin e krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka theksuar se gjendja ekonomike në vend është alarmante dhe ka kritikuar ekzekutivin për mungesë reagimi konkret.
“Rajoni vepron, Evropa ndërhyn, Kosova pse po fle? Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht, që nga nesër, të marrë masa konkrete për të përballuar krizën e rëndë ekonomike dhe rritjen e çmimeve. Gjendja është alarmante”, theksoi ai.
Tahiri ka bërë krahasime me vendet e rajonit, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, pavarësisht çmimeve më të ulëta të derivateve, ka paralajmëruar masa të reja për të zbutur ndikimin e krizës tek qytetarët.
“Maqedonia e Veriut, edhe pse ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon (1.50 euro), 20 cent më lirë se në Kosovë, ka paralajmëruar masa të reja për të mbrojtur qytetarët nga kriza. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të ndërhyhet për uljen e çmimeve dhe po përgatiten masa konkrete”, tha ai.
Në nivel evropian, Tahiri solli si shembull Spanjën, e cila ka miratuar një paketë prej 5 miliardë eurosh për të përballuar krizën. Sipas tij, kjo paketë përfshin uljen e TVSH-së për karburantet, subvencione për çdo litër, si dhe mbështetje për familjet dhe bizneset.
“Spanja ka vendosur masa konkrete për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në një situatë të ngjashme. Kosova nuk mund të qëndrojë pasive në këtë krizë”, tha Tahiri. /Kosova.info/
