Sadiku: Kurti po legjitimon strukturat paralele serbe në Kosovë
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën koncesione ndaj Serbisë duke legjitimuar strukturat paralele serbe në Kosovë, pavarësisht masës ndaluese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Sadikut, veprime të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të integritetit të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se bllokada politike që, sipas tij, është shkaktuar nga Vetëvendosje nuk ka qenë rastësi, por një hapësirë e qëllimshme për favore ndaj Serbisë.
Sadiku gjithashtu kritikoi edhe reagimet e mbështetësve të pushtetit duke thënë se sa herë hapen tema të rëndësishme, si raportet me Serbinë, ato devijohen drejt çështjeve të tjera.
“Qëllimi është vetëm një: të largohet vëmendja nga keqqeverisja”, ka shkruar ai duke shtuar se këto veprime “nuk harrohen dhe nuk falen”. /Kosova.info/
