Mehmetaj: Në Kosovë e shanin Listën Serbe, në Bruksel takoheshin fshehurazi
Analisti Lirim Mehmetaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe raportimet për takime në Bruksel gjatë periudhës së bllokadës politike në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Mehmetaj ka thënë se derisa në Kosovë po zhvillohej debat i ashpër politik dhe kritika ndaj Listës Serbe, në Bruksel po mbaheshin takime intensive mes palëve.
Sipas tij, në publik paraqiteshin si kundërshtarë të ashpër, ndërsa prapa kamerave, siç shprehet ai, po tregonin qasje konstruktive në bisedime.
“Derisa e shajshin Listën Serbe në Kosovë, në Bruksel paskan qenë duke u taku. Qe ky qysh po e falënderon Kurtin edhe politikanët serbë të Kosovës për qasje konstruktive”, ka shkruar Mehmetaj.
Ai shtoi se pa dijeninë e publikut është paraqitur një marrëveshje e cila, sipas tij, po lavdërohet si nga kryeministri Albin Kurti ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mehmetaj ka kritikuar këtë situatë duke thënë se para kamerave paraqiten si kundërshtarë, ndërsa prapa tyre arrihen marrëveshje.
“Lugë para kamerave, marrëveshje konstruktive prapa tyre”, ka theksuar ai duke shtuar se sipas tij këto zhvillime lidhen edhe me çështjen e Asociacionit. /Kosova.info/
