Rama në iftar me Bashkësinë Islame: Forcojmë dialogun dhe bashkëjetesën në Kryeqytet

Takim me Kryesinë e BIK-ut, Këshillin e Prishtinës dhe imamët e xhamive – theksohet rëndësia e vlerave shpirtërore dhe solidaritetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë sonte në një iftar të shtruar me përfaqësuesit e Bashkësia Islame e Kosovës, përfshirë Kryesinë e saj, Kryetarin e Këshillit të BIK-ut për Prishtinë dhe imamët e xhamive të Kryeqytetit.

Gjatë këtij takimi, Rama theksoi se muaji i Ramazanit është një periudhë reflektimi, solidariteti dhe bashkimi, duke rikujtuar rëndësinë e vlerave shpirtërore në jetën publike dhe institucionale.

“Sonte, në iftar me Kryesinë e Bashkësisë Islame, Kryetarin e Këshillit të BIK për Prishtinë dhe imamët e xhamive të Kryeqytetit. Momente reflektimi, solidariteti dhe bashkimi, që na rikujtojnë rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe bashkëjetesës në qytetin tonë,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe respektit ndërmjet komuniteteve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve institucionale me komunitetet fetare.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në funksion të ruajtjes së harmonisë dhe bashkëjetesës në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP