AKB: 10 kompanitë më të mëdha në Kosovë gjenerojnë 2.5 miliardë € dhe 25 mijë vende pune

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar analizën e saj mbi performancën e 10 kompanive më të mëdha që operojnë në Kosovë gjatë vitit 2025 duke evidentuar rolin kyç të sektorit privat në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social të vendit.

Sipas të dhënave të AKB-së, këto kompani realizojnë rreth 2.5 miliardë euro qarkullim vjetor, që përfaqëson afërsisht 22–23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës, dhe punësojnë rreth 25 mijë persona duke qenë shtylla kryesore e ekonomisë, punësimit dhe mirëqenies sociale.

Në krye të listës është kompania energjetike Kosovo Calik Limak Energy me 437 milionë euro qarkullim, ndjekur nga VivaFresh Store me 393 milionë, ELKOS me 247 milionë, HIB Petrol me 236 milionë, Proex (Intrex) me 235 milionë, Ex FIS me 220 milionë, KEK me 200 milionë, Noa Energy Trade me 185 milionë, Bucaj me 175 milionë, dhe AlbaPetrol Group me 162 milionë euro qarkullim.

Statistikat tregojnë se sektorët e energjisë, derivateve dhe tregtisë me pakicë kanë qenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar. Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se këto kompani duhet të trajtohen si partnerë strategjikë të institucioneve përmes politikave të parashikueshme dhe mbështetjes reale për sektorin privat.

Agim Shahini, Kryetar i AKB-së, përgëzon të gjitha kompanitë për arritjet e tyre dhe rithekson se Aleanca do të vazhdojë të jetë zëri i fuqishëm i bizneseve dhe një kontribuues aktiv në ndërtimin e një ekonomie të fortë, konkurruese dhe të qëndrueshme për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP