Rrëzim i frikshëm për Elias Lajunen në Milano-Cortina 2026

Një moment shqetësues ka ndodhur gjatë kualifikueseve të disiplinës në ski freestyle në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Skiatori finlandez, Elias Lajunen, ka pësuar një rrëzim të rrezikshëm gjatë kërcimit të tij të parë në garë. 18-vjeçari humbi kontrollin në ajër gjatë ekzekutimit të një elementi teknik dhe u përplas me forcë me shpinë dhe kokë në borë.

Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë në pistë, duke i dhënë ndihmën e parë sportistit, i cili më pas u transportua me barelë për ekzaminime të mëtejshme.

Gara u ndërpre për disa minuta për shkak të incidentit, ndërsa më pas vijoi normalisht.

Sipas zyrës së medieve të ekipit finlandez “Lajunen ishte i vetëdijshëm pas rrëzimit dhe se lëvizte duart dhe këmbët, një sinjal pozitiv për gjendjen e tij shëndetësore”.


Go to TOP